Një 24-vjeçar, pjesëtar i Marinës Mbretërore britanike, është arrestuar për spiunazh në favor të Rusisë. Teddy Young, nga Bedfordshire, dyshohet se gjatë periudhës nga nëntori i vitit 2024 deri në maj të vitit 2025 ka ndërmarrë veprime për sigurimin, kopjimin, regjistrimin ose mbajtjen e informacioneve të mbrojtura, me synimin që ato t’i sillnin përfitim një fuqie të huaj.
Akuzat janë ngritur në bazë të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare dhe lidhen gjithashtu me pretendimin se Young ka ndërmarrë hapa përgatitorë për zbulimin e informacionit të mbrojtur.
Ai u arrestua në banesën e tij në Bedfordshire dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa pritet të paraqitet para Gjykatës së Magjistratëve në Westminster.
Policia britanike e ka cilësuar çështjen shume serioze, pasi i akuzuari është pjesëtar në shërbim i forcave të armatosura. Hetuesit kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes për të vlerësuar dhe kufizuar çdo rrezik të mundshëm të lidhur me rastin.
Marina Mbretërore ka konfirmuar arrestimin dhe akuzat ndaj pjesëtarit të saj, por nuk ka dhënë koment të mëtejshëm për shkak të procedurave ligjore në vazhdim. Young përballet tashmë me akuzat për vepra që, sipas autoriteteve britanike, mund të kenë cenuar sigurinë ose interesat e Mbretërisë së Bashkuar.


