Nuk kanë fund vuajtjet për minatorët e Trepçës.
63 punonjës të turnit të dytë ngelën të bllokuar për më shumë se shtatë orë, ndërsa autorititet njoftojnë këtë të enjte zyrtarisht se shkak për një tjetër ditë ankthi, u bë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike.
Sipas njoftimit të Trepçës, ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 pasditen e të mërkurës, në tunelin Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 Kv.
Trepça njofton se 54 minatorë dolën në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë qëndruan në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike, i rikthyer në 02.50 minuta të mëngjesit të së enjtes.
Ndërmarrja njofton se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë, por problemet në minierën e trepces kanë qenë të shpeshta dhe kushtet e sigurisë në punë problematike.
Gjatë këtij viti janë shkaktuar më shumë se tre ngjarje të tilla, në të gjitha rastet zyrtraisht për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji, por ekspertët thonë se problemet ndodhin për shkak të infrastrukturës së vjetëruar të minierës.
Miniera e Trepçës është me 80 % aksione shtetërore dhe në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.
Në kulmin e saj Trepçka ka patur 22 000 puntorë, ndërsa vitet e fundit numri i tyre ka rënë në 3000.


