Të paktën pesë persona janë arrestuar në Francë në lidhje me vjedhjen e dy pikturave të famshme të Pierre-Auguste Renoir nga Muzeu Renoir në Cagnes-sur-Mer, pranë Nicës. Sipas mediave lokale, mes të arrestuarve janë edhe dy personat që dyshohet se kanë kryer grabitjen.
Dy pikturat e vjedhura ende nuk janë gjetur. Bëhet fjalë për veprat “Portreti i zonjës Colonna Romano”, e vitit 1910, dhe “Vajza te pusi”, e vitit 1886. Dy vepra të tjera që u morën nga muzeu u braktisën nga hajdutët gjatë largimit.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 shtatorit. Hajdutët prenë gardhin për të hyrë në ambientet e muzeut, thyen një dritare dhe më pas përdorën një sharrë elektrike për të prerë mbajtëset e kornizave dhe për të marrë pikturat.
Gazeta franceze “Nice-Matin”, e cila raportoi e para për arrestimet, shkruan se të dyshuarit mund të jenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar. Disa media franceze raportojnë se në fakt janë arrestuar gjashtë persona.
Prokurorët lokalë nuk kanë konfirmuar zyrtarisht arrestimet kur janë kontaktuar nga BBC.
Muzeu Renoir, i hapur në vitin 1960, ishte shtëpia e fundit e piktorit të njohur francez para vdekjes së tij në vitin 1919. Në muze ndodhen 12 vepra të Renoir, si dhe sende personale të tij, mes tyre kavaleti, karrigia me rrota, fotografi dhe letra.
Vjedhja në Francë është pjesë e një serie grabitjesh të bujshme të veprave të artit në Evropë gjatë muajve të fundit, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë në muze dhe galeri.
Në gusht, piktura të Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse u vodhën nga një muze në Itali. Grabitja zgjati vetëm tre minuta, ndërsa veprat u gjetën më vonë.
Një tjetër rast i bujshëm ndodhi në tetor të vitit të kaluar në Luvër, në Paris, ku hajdutë të maskuar si punëtorë ndërtimi hynë në Galerinë Apollo gjatë orarit të vizitave dhe vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro. Pas ngjarjes, muzeu u përball me kritika për masat e sigurisë.


