Në të mirë dhe në të keqe, duket se fati i Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo është i lidhur përgjithmonë. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Thuajse në të njëjtën kohë që “Pleshti” luante ndeshjen e lamtumirës dhe nderohej nga Argjentina, CR7 publikoi në rrjetet e tij sociale një letër të gjatë, që sipas tij përshkruante të vërtetën e përplasjes me trajnerin Jesus, që për momentin ka shënjuar një fund të hidhur me Portugalinë.
Në letrën e gjatë, sulmuesi luzitan ka zbuluar edhe detaje të panjohura më parë, si vendimi për ta mbyllur me kombëtaren pas Botërorit 2026.
“Pas Botërorit kisha vendosur të largohesha. Presidenti i Federatës më kërkoi të rishqyrtoja vendimin pasi dëshira e federatës ishte që unë të vazhdoja. Më pas më kërkoi mendimin për emrin e trajnerit aktual. Unë i thashë se, sipas mendimit tim, ishte zgjedhja e duhur”, tha Ronaldo.
Më pas, CR7 zbulon edhe bisedat me trajnerin Jesus. Sipas sulmuesit, atij i ishin premtuar privilegje, por që nuk ishin pranuar nga ai vetë.
“Nuk mund ta pranoja një privilegj të tillë, sepse si kapiten i ekipit nuk mund të qëndroja në Portugali ndërsa skuadra luante jashtë vendit. Në fund, trajneri u pajtua me këtë qëndrim. Gjithçka vazhdoi normalisht deri në ditën e ndeshjes me Norvegjinë”, u shpreh ylli i futbollit.
Deri këtu gjithçka ishte në rregull, ndërsa krisja nisi në Oslo.
“Më pyeti nëse isha gati të luaja 30 minuta. Edhe pse kjo nuk ishte pjesë e planit tim të rikuperimit, pranova menjëherë. Ai më tha të bëhesha gati sepse do të aktivizohesha. Për mua, trajneri nuk e mbajti fjalën”, shtoi ai.
Cristiano Ronaldo pranon se mund të kishte zgjidhur më mirë situatën, por edhe për këtë nuk pret privilegje dhe pranon penalitetet.
“Pranoj që Federata Portugeze e Futbollit duhet ta vlerësojë dhe ta ndëshkojë këtë veprim. Si kapiten i ekipit, përgjegjësia ime është edhe më e madhe dhe rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë”, tha Ronaldo.
Në fund, CR7 zhgënjen të gjithë ata që mendonin se ishte ky fundi me kombëtaren e Portugalisë. Nuk e thotë, por edhe ai pret një lamtumirë si ajo e Lionel Messi.
“Nëse jam në formë fizike, luaj rregullisht me klubin tim dhe pasi të kem vuajtur çdo pezullim që mund të më vendoset, do të jem i gatshëm, si gjithmonë, të luaj dhe të fitoj për Portugalinë. Kjo është e vërteta ime dhe asgjë më shumë”, përfundoi Ronaldo.
Sipas mediave portugeze, gjatë ditëve në vijim pritet që Cristiano Ronaldo të takohet me presidentin e federatës dhe trajnerin Jesus, ndërsa pritet të kthehet me kombëtaren në nëntor për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.


