Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, ka komentuar ecurinë e ekonomisë shqiptare, turizmit dhe financave publike, duke u ndalur edhe te ndikimi i situatës gjeopolitike.
Yzeiraj u shpreh se situata e protestave mund të ketë pasur një ndikim në turizëm, por të dhënat e muajve të fundit për fluturimet tregojnë një ecuri pozitive. Sipas tij, sektori i turizmit vijon të zhvillohet, ndërsa rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit ka qenë 3.6 për qind.
Duke iu referuar situatës gjeopolitike dhe pasigurive që e shoqërojnë atë, zëvendësministri e cilësoi qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike si një zhvillim pozitiv, por nënvizoi se kjo nuk duhet të çojë në neglizhimin e rreziqeve të së ardhmes.
Yzeiraj paralajmëroi për nevojën e vëmendjes ndaj luhatjeve të çmimeve të hidrokarbureve.
“Edhe situata me protestat mund të ketë pasur një impakt në turizëm, por në muajt më të fundit nr. i fluturimeve ka qenë i lartë, në gusht kemi pasur rekord. Sektori vazhdon të zhvillohet, rritja ka qenë 3.6 për qind në gjysmën e parë të vitit, e gjitha kjo është reflektuar qoftë nga bankat ndërkombëtare, por edhe nga agjencitë e zhvillimit të borxhit sovran.
Jemi në një moment ku financat dhe borxhi publik po kthehen në një problem. Duke pasur parasysh këtë situatë gjeopolitike, me shumë pikëpyetje, kjo qëndrueshmëri e rritjes ekonomike është diçka për të qenë i lumtur, por nuk do të na bëjë të mos shqetësohemi për të ardhmen. Duhet të jemi të kujdesshëm për çmimin e hidrokarbureve.”


