Portugalia mbyll me fitore dhe pikë të plota “xhiron” e parë në Ligën e Kombeve. Në ndeshjen e katërt në grupin e saj në Ligën A, skuadra luzitane mundi me përmbysje 2-1 Norvegjinë.
Në stadiumin e Porto, pjesa e parë u vendos nga dy gola spektakolarë. I pari ai që i dha epërsinë miqve në minutën e 36-të dhe që kishte si autor Ajer.
Përgjigja e portugezëve erdhi shpejt dhe me të njëtën monedhë, pasi vetëm dy minuta më pas Joao Cancelo barazoi me një tjetër goditje prej katalogu.
Përmbysja e të zotëve të shtëpisë u vulos në minutën e 79-të me realizimin e Goncalo Ramos. Sulmuesi i Milan rezultoi edhe një herë deçiziv për Portugalinë, që mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Conceicao.
Ky detaj nuk e prishi festën e luzitanëve, që mbyllën me sukses sfidat e para në Ligën e Kombeve, ndërsa tani presin rikthimin e Cristiano Ronaldo në ndeshjet e nëntorit. Kjo konfirmohet edhe nga trajneri Jorge Jesus, që duket se është tërhequr nga përplasja me CR7.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Për sa më përket mua, gjithçka është e hapur. Ai duhet të vendosë për të ardhmen e tij para se të shpallet lista e skuadrës. Nëse luan dhe dëshiron të jetë pjesë e kombëtares, mund të rikthehet kur të dojë. Ishte një keqkuptim dhe, sipas mendimit tim, është e lehtë të zgjidhet. Për sa më përket mua, gjithçka është në rregull”, tha ai.
Sipas mediave portugeze, gjithçka pritet të zgjidhet gjatë ditëve të ardhshme, pasi në program është një takim mes trajnerit Jesus, Cristiano Ronaldo dhe presidetit të federatës./abcnews.al


