Arrestohet me qëllim ekstradimin drejt Spanjës 60-vjeçari Mevlan Troka i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor u kodua “Gjurmimi”.
Mevlan Troka i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është lokalizuar dhe arrestuar në Fier, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”.
Policia bën me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrolleve për kapjen e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë lokalizuar në fshatin Bishan shtetasin M. T., 60 vjeç.
Sipas autoriteteve, ndaj tij Gjykata e Madridit në Spanjë ka lëshuar urdhër-arrest, pasi dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuara nga Kodi Penal spanjoll.
Pas kryerjes së veprimeve procedurale, 60-vjeçari është arrestuar përkohësisht, me qëllim ekstradimin e tij drejt Spanjës.
Ndërkohë, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e shtetasit drejt Spanjës.
Operacioni “Gjurmimi” është pjesë e kontrolleve të Policisë së Shtetit për identifikimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.


