Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj si një nga destinacionet turistike më të përfolura në Evropë, ndërsa interesi i turistëve francezë për vendin është në rritje.
Media digjitale franceze “Peaches.fr” i kushton një artikull turizmit shqiptar, duke e cilësuar vendin si “Maldivet e Evropës”. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria priti 11.9 milionë turistë gjatë vitit 2025, shifër që përfaqëson një rritje prej 3.3% krahasuar me vitin 2024 dhe 93.6% më shumë se në vitin 2019.
Rritja e fluksit turistik është reflektuar në destinacionet kryesore të vendit, nga Riviera Shqiptare dhe Tirana, deri te Alpet në veri.
Riviera, magneti i turistëve
Bregdeti mbetet një nga arsyet kryesore që turistët zgjedhin Shqipërinë. Vlora, Dhërmiu, Saranda dhe Ksamili janë ndër destinacionet më të frekuentuara, ndërsa oferta akomoduese po zgjerohet me struktura të reja, përfshirë hotele të kategorisë së lartë.
“Green Coast Hotel”, pjesë e “MGallery Collection”, u hap në qershor 2025. Në vitin 2026, ofertës iu shtua edhe “Crowne Plaza Durrës by IHG”, ndërsa në zonë vijon të jetë i pranishëm edhe “Miamar Luxury Hotel & Spa”.
Tirana, nga historia te bunkerët
Kryeqyteti mbetet një tjetër pikë e rëndësishme e itinerareve turistike. Përveç qendrës së qytetit dhe Sheshit Skënderbej, vizitorët mund të njihen me historinë e afërt të Shqipërisë përmes muzeve dhe objekteve të periudhës komuniste.
Muzeu Historik Kombëtar, pranë sheshit qendror të Tiranës, është aktualisht i mbyllur për shkak të punimeve dhe pritet të qëndrojë i tillë deri në vitin 2028. Ndërkohë, “Shtëpia me Gjethe”, Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 ofrojnë një pasqyrë të historisë së regjimit komunist dhe mekanizmave të Sigurimit të Shtetit.
Fluturimet dhe lidhjet e reja
Zgjerimi i lidhjeve ajrore ka ndihmuar në rritjen e aksesueshmërisë së Shqipërisë për turistët evropianë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është zgjeruar për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të udhëtarëve. Kompania “Wizz Air”, e cila hapi një bazë në Tiranë në vitin 2020, lidh kryeqytetin shqiptar me një sërë qytetesh evropiane, mes tyre Barcelona, Budapesti, Londra, Madridi, Roma dhe Stokholmi.
Tirana ka gjithashtu lidhje direkte ajrore me qytete si Frankfurti, Amsterdami dhe Stambolli.
Përmes linjave të autobusëve, turistët mund të vijojnë udhëtimin drejt Shkupit, Podgoricës dhe Prishtinës, duke kombinuar Shqipërinë me destinacione të tjera të Ballkanit.
Nga liqenet te Alpet
Përtej bregdetit, Shqipëria ofron edhe një tjetër profil turistik në veri të vendit.
Shkodra shërben si pikënisje për udhëtime drejt Liqenit të Shkodrës, Lumit të Shalës dhe Liqenit të Komanit.
Më në veri shtrihen Alpet Shqiptare, të cilat tërheqin turistët e apasionuar pas natyrës dhe ecjeve malore. Një nga itineraret më të njohura është shtegu Valbonë-Theth, rreth 12 kilometra i gjatë, që mund të kërkojë nga shtatë deri në 10 orë ecje.
Kombinimi i plazheve me ujëra të kthjellëta, trashëgimisë historike, zonave malore dhe lidhjeve gjithnjë e më të mira të transportit po e vendos Shqipërinë në fokusin e turistëve evropianë, përfshirë edhe ata nga Franca.


