Thirrjet për një ndërprerje të dënimit me vdekje në SHBA janë shtuar pas ekzekutimit të dështuar të Christa Pike në Tennessee. Procedura u ndërpre pasi Pike, pas injektimit të dy dozave pentobarbitali, rezultoi ende gjallë, me frymëmarrje dhe rrahje zemre.
Avokatët e saj e kanë përshkruar procedurën si “mizore dhe torturuese” dhe kanë kërkuar që dënimi me vdekje t’i konvertohet në burgim të përjetshëm. Sipas njërit prej avokatëve, gjatë përpjekjes për të gjetur venën në krahun e saj, u përdorën disa gjilpëra.
Pike, 50 vjeçe, ishte dënuar me vdekje për vrasjen e vitit 1995 të shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer. Ajo do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vitesh.
Rasti ka rikthyer debatin mbi sigurinë dhe humanizmin e ekzekutimeve me injeksion. Tennessee kishte dështuar edhe në një ekzekutim tjetër pesë muaj më parë, ndërsa Alabama është përballur me probleme të ngjashme me injeksionet vdekjeprurëse dhe më pas ka përdorur azotin si metodë alternative.
Juristë, mjekë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare kanë kërkuar pezullimin e ekzekutimeve. Avokati i njohur kundër dënimit me vdekje Bryan Stevenson tha se dështimet e përsëritura tregojnë probleme serioze me mënyrën sesi kryhen ekzekutimet në SHBA.
Debati vjen në një periudhë kur ekzekutimet janë shtuar. Viti i kaluar shënoi numrin më të lartë të ekzekutimeve në SHBA në 16 vjet, me 47 persona të “vrarë” në 12 shtete.
Ndërkohë, mbështetja publike për dënimin me vdekje ka rënë krahasuar me dekadat e mëparshme.


