FINLANDË- Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë të shtunën ndeshjen e tretë të grupit në Lingën e Kombeve ndaj Finlandës, në “Helsinki Olympic Stadium”, në orën 15:00.
Trajneri i kuqezinjve Rolando Maran dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, mbajtën një konferencë për mediat, në prag të takimit, që është testi i tretë dhe më i rëndësishmi për ekipin kombëtar.
Maran vlerësoi kundërshtarin dhe theksoi se Shqipëria duhet të rrisë intensitetin dhe përkushtimin për të qenë konkurruese. Sipas tij, futbollistët duhet të japin 100% e tyre për të synuar objektivin për kryesimin e grupit.
“Ekipi kundërshtar është i ashpër dhe skuadër e fortë. Që ne të jemi kompetitivë në grup, duhet që të shtyjmë pak më tepër. Që të gjithë lojtarët duhet të japin më shumë se 100% e tyre dhe sigurisht që jemi me fat që kemi lojtarët që kanë këto karakteristika dhe jemi me fat që na shërben për të gjithë skuadrën“, tha trajneri.
I pyetur për “balotazhin” Mitaj-Pilo, Maran u ndal te cilësitë e dy futbollistëve dhe roli i tyre në skuadër.
“E rëndësishme është që të marrim nga cilësitë e tyre dhe çfarë japin ata për skuadrën. Që të jemi konkurrues, duhet të shtyjmë pak dhe lojtarët të japin maksimumin e tyre. Nuk ndodh që të luajnë të dy, sepse kanë karakteristika të ndryshme. Plotësojnë njëri tjetrin, por jo të jenë të dy në të njëjtin rol.Kam grumbulluar disa lojtarë ekstra, sepse janë shumë ndeshje dhe për t’i njohur nga afër. Nuk ka qenë momenti për t’i aktivizuar, por mund të luajnë në të ardhmen”, tha ai.


