Shqipëria është biodiversitet! Një mesazh që këtë herë merr formën e një mozaiku monumental, ku arti dhe natyra bashkohen për të sjellë në vëmendje pasurinë e jashtëzakonshme natyrore të vendit tonë.
Plot 38 lloje të veçanta dhe të rrezikuara kafshësh të Shqipërisë janë përfshirë në një vepër artistike të realizuar me copa qelqi, duke krijuar një mozaik që synon të ndërgjegjësojë publikun për rëndësinë e mbrojtjes së biodiversitetit.
Pas këtij projekti qëndrojnë artistët Kleidi Eski, Anna Paola Franceschi dhe artistë ndërkombëtarë, në kuadër të një nisme të përbashkët të HBS Tirana dhe PPNEA. Por rrugëtimi i veprës nisi më herët, në vitin 2023, kur krijimi u prezantua në formë digjitale dhe u vendos si një strukturë monumentale në sheshin “Skënderbej”. Me përmasa 13 metra të larta dhe 40 metra të gjera, ajo qëndroi e ekspozuar për dy muaj, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve.
Pas dy vitesh, ideja u rikthye në një formë të re: një mozaik i punuar me copa qelqi, të porositura në Itali, ku secili element kontribuon në krijimin e një tërësie artistike. Përtej estetikës, projekti përcjell një mesazh të qartë: biodiversiteti është pjesë e identitetit shqiptar dhe mbrojtja e tij lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si menaxhojmë territorin dhe burimet natyrore.
Zhvillimi urban, infrastruktura, humbja e habitateve dhe degradimi i ekosistemeve po ushtrojnë presion mbi natyrën. Në këtë realitet, “Shqipëria është biodiversitet” synon ta sjellë trashëgiminë natyrore në qendër të vëmendjes publike dhe të nxisë një marrëdhënie më të përgjegjshme me mjedisin. Një mozaik që nuk bashkon vetëm copa qelqi, por edhe artin, njerëzit dhe një thirrje për të mbrojtur pasurinë natyrore të Shqipërisë./abcnews.al


