Prej viteve ’70 në skenë, Vera Laci është një prej zërave që ka ruajtur ndër dekada traditën e këngës popullore dibrane dhe veriore. Për të, kënga nuk ka qenë thjesht një profesion, por dashuria e një jete, frymëmarrje dhe një mision që e ka shoqëruar në çdo etapë të rrugëtimit të saj.
“Oj Zogo”, “Në Dibër e Çërmenikë” dhe shumë këngë të tjera e kanë lidhur emrin e saj me muzikën që përcjell historinë, zakonet, gëzimet dhe dhimbjet e njerëzve. Edhe pse është larguar fizikisht nga Dibra, Vera thotë se mendjen dhe zemrën i ka gjithmonë atje, mes kujtimeve, traditave dhe melodive që e kanë formuar si njeri dhe artiste.
Kontributi i saj në muzikën popullore është vlerësuar edhe me titullin “Qytetare Nderi e Dibrës”, një mirënjohje për dekadat e përkushtimit ndaj këngës dhe identitetit kulturor të vendlindjes.
Por përtej skenës, duartrokitjeve dhe vlerësimeve, Vera Laci ka edhe një histori të pasur njerëzore. Ajo kujton me dashuri jetën familjare, marrëdhënien me vjehrrën, mbështetjen që ka gjetur në shtëpi dhe bindjen se në art mund të ecësh përpara pa dëmtuar të tjerët. Për të, kënga nuk duhet të jetë garë për klikime, por një lidhje e sinqertë me publikun.
Pas një periudhe larg muzikës, pas humbjes tragjike të djalit të vetëm në një aksident, kënga u bë sërish një mënyrë për të gjetur forcën dhe për të vazhduar përpara. Një rol të veçantë në këtë rrugëtim ka pasur edhe vajza e saj, Dea, të cilën Vera e përshkruan si forcën që e ndihmoi të ngrihej sërish.
Sot, ajo vazhdon t’i qëndrojë besnike muzikës popullore, pa harruar rrënjët dhe vlerat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Sepse për Vera Lacin, kënga nuk është vetëm ajo që dëgjohet në skenë. Është kujtesë, identitet, dashuri dhe një mënyrë për të mbajtur gjallë gjithçka që koha nuk mund ta fshijë./abcnews.al


