Pedagogu Klementin Mile, në një intervistë për “Tirana Live”, komentoi mesazhet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Mile vlerësoi se Von der Leyen njohu progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe e cilësoi vendin në pararojë të këtij procesi, së bashku me Malin e Zi.
Sipas tij, mesazhi i rëndësishëm është se Europa nuk duhet të shihet vetëm si horizont, por edhe si standard me të cilin Shqipëria duhet të matet. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kontekstit gjeopolitik në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Pati një mesazh nga Von der Leyen, të cilat mund të quhen mesazhe të rëndësishme për qeverinë shqiptare. U njoh rruga e deritanishme dhe u tha që është bërë një lloj progresi. Gjuha diplomatike nuk i thotë të gjitha. Na u tha që Shqipëria është pararojë e integrimit bashkë me Malin e Zi. U përjashtua Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut, të cilat kanë pasur aspirata. Nuk u tha që ne jemi me Ukrainën dhe me Moldavinë në këtë grup.
Von der Leyen e tha si fjalë, por nuk e artikuloi më gjatë, motivin gjeopolitik. Të gjitha këto çështje që janë të rëndësishme dhe mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit. Edhe këto vlerësime që ne morën nga Von der Leyen, që patjetër qëndrojnë si vlerësime, janë edhe se është një moment gjeopolitik. Ne e dimë që nuk jemi evropianizuar mjaftueshëm.
Ajo që duhet të kuptojmë dhe që është kryesore, është që nëse ne kemi pasur Europën si horizont, edhe përgjatë katër mandateve të qeverisë Rama, Europa ka qenë horizonti. Von der Leyen na vjen këtu dhe na thotë që Europa nuk duhet të jetë vetëm një horizont, por edhe një standard. Duket sikur tani kemi këtë premtim, që Europa do të jetë standardi me të cilin ne do të matemi. Von der Leyen njohu progresin dhe i çel Shqipërisë një rrugë konkrete”, tha Mile.


