Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump mbledh gjigantët e teknologjisë/ Kompanitë e AI bien dakord për rregulla vullnetare sigurie

schedule09:10 - 30 Shtator, 2026

schedule 09:10 - 30 Shtator, 2026

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje të re vullnetare me kompanitë më të mëdha të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, me synimin për të vendosur standarde sigurie për zhvillimin e sistemeve të reja.

Marrëveshja, e quajtur “Angazhimi i Përbashkët për Përgjegjësitë Kufitare”, u prezantua gjatë një dreke të organizuar në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të kompanive kryesore të teknologjisë. Trump e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen nga rreziqet e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, marrëveshja nuk ka karakter ligjor dhe nuk parashikon sanksione apo mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga autoritetet shtetërore. Kompanitë angazhohen që vetë të zbatojnë mekanizma për monitorimin dhe vlerësimin e sigurisë së sistemeve të tyre.



Kuadri parashikon katër nivele kontrolli: monitorim të sigurisë gjatë trajnimit të modeleve, ekipe të brendshme për vlerësimin e këtyre mekanizmave, kontrolle nga vlerësues të jashtëm dhe borde të pavarura për shqyrtimin e raporteve.

Megjithatë, kompanitë nuk detyrohen të publikojnë rezultatet e kontrolleve. Gjithashtu, ato ruajnë të drejtën për të zgjedhur auditorët dhe strukturat që do të kryejnë vlerësimet.

Marrëveshja vjen në një periudhë debati të fortë mbi mënyrën se si duhet të kontrollohet zhvillimi i inteligjencës artificiale. Ndërsa ligjvënës dhe studiues kërkojnë mbikëqyrje më të madhe shtetërore, administrata Trump ka kundërshtuar rregullat gjithëpërfshirëse, duke argumentuar se ato mund të ngadalësojnë inovacionin amerikan dhe konkurrencën me Kinën.

Në takim morën pjesë drejtues të kompanive kryesore të teknologjisë, mes tyre Mark Zuckerberg, Jeff Bezos, Sundar Pichai, Jensen Huang, Greg Brockman dhe Dario Amodei. Në takim ishte edhe Elon Musk.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili ishte iniciator i takimit, tha se sfida është gjetja e një ekuilibri mes sigurisë dhe objektivit për të ruajtur lidershipin amerikan në inteligjencën artificiale.

Zuckerberg e cilësoi marrëveshjen si një hap të parë drejt rritjes së besimit të publikut dhe e përshkroi takimin si një diskutim të rëndësishëm për të ardhmen e industrisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!