Departamenti për Hetimin e Terrorizmit të Prokurorisë Speciale në Kosovë ka thirrur në cilësinë e të dyshuarve disa zyrtarë të lartë të Listës Serbe, përfshuirë edhe nënkryetarin e kësaj partie, Igor Simiç.
Zyrtarët e Listës Serbe janë thirrur për dyshime që lidhen me disa vepra penale, përfshirë bashkëpunimin me qëllim sulmi ndaj rendit kushtetues të Kosovës, sulm ndaj personit zyrtar, rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.
Simiç thotë se do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë, por mohon të ketë kryer ndonjë vepër penale dhe e cilëson procedurën si presion ndaj Listës Serbe
Por hetimet e fundit vijnë në një kontekst të gjatë përplasjesh dhe tensionesh në veri të Kosovës dhe zyrtarët e kësaj partie edhe më herët kanë marrë thirrje nga Prokuroria Speciale për intervistim lidhur me “sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.
Lista Serbe, parti që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka mbështetur ndër vite protesta dhe veprime të serbëve lokalë kundër vendimeve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Në dhjetor të vitit 2022, në veri u vendosën barrikada, ndërsa Prokuroria e Kosovës ka ngritur më pas aktakuzë ndaj gjashtë personave për përfshirjen në vendosjen e tyre.
Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej në maj të vitit 2023. Në Zveçan shpërtheu dhuna gjatë protestave kundër hyrjes së kryetarit të zgjedhur në objektin e komunës dhe Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur, ndërsa në terren gjatë trazirave, të pranishëm ishin zyrtarë të Listës Serbe.
Por ngjarja më e rëndë ishte sulmi i armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, dhe ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Sulmi u lidh me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili më vonë mori përsipër organizimin e tij.
Megjithëse institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë detaje për ngjarjet konkrete që lidhen me secilin prej të dyshuarve, thirrjet e fundit rikthejnë në vëmendje përplasjen mes strukturave të Listës Serbe dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.


