Talenti nuk i është vënë kurrë në dyshim. Çdo shqiptar që ndjek sado pak futbollin e di se Ernest Muçi ka klas nga më të shkëlqyerit në këtë kombëtare, e po këtë e dinë edhe në Turqi apo Poloni.
Gjithsesi, futbollisti ofensiv që luan për Trabzonsporin e ka pasur shumë të vështirë të konfirmojë veten si një nga protagonistët kryesorë kuqezinj, ndonëse pas të shtunës kjo situatë mund të ndryshojë.
Muçi mori besimin e trajnerit të ri, Rolando Maran, dhe mund të thuhet se e shpërbleu plotësisht. Luajti mirë, pati shumë prekje topi dhe kryesorja, shënoi një gol shumë të bukur.
Ishte ai për fitoren 2-0 pas asistit të Hysajt.
Tashmë, 25-vjeçari ka 4 rrjeta me kombëtaren, në të cilën ka luajtur vetëm 18 ndeshje, edhe ato jo të plota. Imagjinoni, që nga mbi 1600 minuta në total në ato sfida, Muçi ka qenë në fushë vetëm 489.
Kjo do të thotë se ai shënon një gol në 120 minuta, pak më shumë se një për çdo ndeshje të plotë, një mesatare mjaft e mirë edhe për një sulmues, jo më për një lojtar ofensiv që luan në krah ose si numër 10 më prapa.
Muçi ka shënuar ndaj Ishujve Faroe në eliminatoret e Europianit në qershor 2023, po ashtu në miqësoren e fituar 2-0 ndaj Bullgarisë në Tiranë në tetor të atij viti. Vazhdoi me rrjetën në miqësoren kundër Lihtenshtajnit para Europianit, në qershor 2024, ndërsa tani erdhi goditja kundër Bjellorusisë në ndeshjen e parë të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, në sytë e mbi 18 000 spektatorëve në “Arenën Air Albania”./abcnews.al


