Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

11 ditë në shesh kundër Hagës/ Mijëra qytetarë në Prishtinë protestuan për dënimin e 4 ish-krerëve të UÇK

schedule23:03 - 26 Shtator, 2026

schedule 23:03 - 26 Shtator, 2026

Për të 11-tën natë  radhazi, shumë qytetarë u mblodhën në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të protestuar kundër vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Pavarësisht temperaturave të ulëta, shumë qytetarë u mblodhën me pankarta, me flamuj e me bluza me simbolet e UÇK-së për të shprehur pakënaqësinë dhe revoltën lidhur me dënimin me 81 vite burg në total për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin

Në fillim të fjalimit, organizatori Haziri përkujtoi masakrën e familjes Deliu në Abri të Epërme, duke theksuar se më 26 shtator 1998 forcat serbe vranë 22 anëtarë të kësaj familjeje dhe bëri thirrje për 1 minutë heshtje.

Më pas, Haziri u përqendrua te 11 ditët e protestës, duke argumentuar se kërkesat e qytetarëve tashmë janë dëgjuar dhe se institucionet nuk mund të justifikohen më me mungesën e informacionit. Sipas tij, protestuesit nuk kërkojnë më deklarata apo reagime politike, por veprim konkret institucional.

Ai kritikoi institucionet politike për vonesën dhe kërkoi që Kuvendi dhe qeveria të ndërmarrin hapa konkretë lidhur me çështjen për të cilën protestohet. Madje, ai e distancoi protestën nga partitë politike. Haziri kundërshtoi përpjekjet për ta lidhur protestën me një parti të caktuar dhe tha se protesta nuk i përket Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së apo AAK-së.

Haziri akuzoi gjithashtu partitë politike se po zhvillojnë një garë për të treguar se cila prej tyre e mbështet më shumë UÇK-në, ndërsa sipas tij, kjo nuk është ajo që kërkojnë protestuesit. Ai u kërkoi politikanëve të mos mjaftohen me deklarata dhe të përdorin votën në Kuvend për të ndërmarrë veprime konkrete.

Në fund, organizatori iu drejtua drejtpërdrejt deputetëve dhe kryeministrit, duke kërkuar prej tyre të marrin përgjegjësi institucionale. Ai e përsëriti disa herë mesazhin se, pas 11 ditësh protestë, qytetarët nuk duan më të dëgjojnë se institucionet i kanë dëgjuar, por kërkojnë që ato “të veprojnë” dhe të votojnë ligjin.

Protesta në kundërshtim të aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së u mbajtën edhe në Gjermani dhe Finlandë. Platforma “Liria ka emër” njoftoi se protesta u mbajtën në Hamburg dhe Helsinki. Diaspora shqiptare në Goteborg të Suedisë ka zhvilluar gjithashtu një protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Kujtojmë se të hënën do të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, teksa deputetët do të punojnë në ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!