Brajan Gruda i refuzoi kombëtaren e Shqipërisë për atë të Gjermanisë. Ftesa nga Jurgen Klopp i erdhi për ndeshjet e Ligës së Kombeve, por futbollisti me origjinë shqiptare duhet të presë ende për të bërë debutimin e tij me “Panzerat” në një ndeshje zyrtare.
Një “mallkim” i vërtete për 22 vjeçarin, që u dëmtua në ndeshjen e fundit me Leipzig në Bundesligë.
Pas testeve mjekësore, klubi i tij ka zyrtarizuar mungesën e Grudës në grumbullimin e kombëtares gjermane.
“Pas ekzaminimeve të reja, Brajan do të bëjë një pushim gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare, për shkak të tërheqjes së muskujve anësorë të barkut”, lexohet në njoftimin e shpërndarë nga Leipzig.
Në këtë mënyrë, për Grudën sfumohet një tjetër mundësi për të luajtur me kombëtaren e parë të Gjermanisë në një ndeshje zyrtare.
Më parë ai ka luajtur me përfaqësuesen U21 të këtij vendi, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Po ashtu, mesfushori sulmues ishte ftuar edhe nga Julian Nagelsmann në listën paraprake të “Botërorit 2026”, por u la jashtë skuadrës që luajti në finalet e turneut.
Tashmë, pas këtij dëmtimi Brajan Gruda duhet të presë për debutimin e tij me Gjermaninë, ndërsa gjatë kësaj kohe mund t’i shkojë ndërmend edhe ideja, se ndoshta do të kishte më shumë fat po të zgjidhte Shqipërinë.

