Forcat ukrainase pretendojnë se kanë shënuar përparime të rëndësishme në veri të Donbasit, ndërsa raportimet e fundit ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si komanda ruse ka informuar Vladimir Putinin për situatën në front.
Ukraina ka zhvilluar prej muajit maj një operacion të quajtur “Vivaldi”, në zonën e Lyman. Përparimet e ushtrisë ukrainase janë mbajtur fillimisht larg vëmendjes, ndërsa informacionet e para për to kanë ardhur nga blogerë ushtarakë rusë, të cilët shpesh kritikojnë publikisht gabimet dhe dështimet e komandës së ushtrisë ruse.
Të dhënat më të qarta u bënë publike pas deklaratave të 15 shtatorit nga komandanti i Ushtrisë së Tretë ukrainase, Andrii Biletskyi. Ai tha se faza e parë e operacionit “Vivaldi” ka përfunduar me sukses dhe se forcat ukrainase po vijojnë me fazat e tjera. Sipas Biletskyit, ushtria ukrainase ka rimarrë rreth 75 kilometra katrorë territor në Donbas. Disa blogerë ushtarakë perëndimorë japin një shifër më të lartë, duke folur për rreth 200 kilometra katrorë.
Ndër zonat që Ukraina pretendon se ka rimarrë janë Novoselivka, Oleksandrivka, Yarova dhe disa pjesë periferike të Karovyi Yar. Sipas të dhënave të publikuara nga pala ukrainase, njësitë ruse të Ushtrisë së 20-të dhe 25-të kanë pësuar humbje të konsiderueshme. Pretendohet se rreth 1,500 ushtarë janë vrarë ose plagosur, ndërsa janë shkatërruar ose dëmtuar edhe mijëra dronë, si dhe qindra mjete ushtarake, artileri dhe mortaja.
Një nga elementët më të rëndësishëm të operacionit duket se ka qenë fshehtësia. Për një periudhë, edhe burime që zakonisht analizojnë zhvillimet në front nuk raportuan për përparimin ukrainas në këtë zonë. Më pas, informacionet nisën të konfirmohen edhe nga kanali rus i analizave ushtarake Rybar.
Zhvillimet në terren bien ndesh me deklaratat e mëparshme të Moskës për situatën në front. Ndërsa Vladimir Putin kishte paraqitur përparimin e forcave ruse drejt qyteteve Kramatorsk dhe Sloviansk si pjesë të një ofensive të suksesshme në lindje të Ukrainës, forcat ukrainase pretendojnë se në disa prej këtyre zonave kanë arritur të rimarrin territor.
Megjithatë, luftimet dhe sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë. Kievi dhe zona të tjera të vendit vijojnë të përballen me sulme me raketa balistike dhe dronë të avancuar, të cilët janë të vështirë për t’u interceptuar.
Në zonat e Donbasit që kontrollohen nga Ukraina, bombardimet e vazhdueshme kanë detyruar një pjesë të madhe të banorëve të largohen nga qytetet. Për civilët që kanë mbetur, lëvizja në rrugë vijon të jetë e rrezikshme për shkak të sulmeve.

