Zgjidhja e kontratës së konçesionit për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të vlorës ka hyrë në fuqi.
Ministria e Infrastrukturës ka sqaruar se Arbitrazhi i Emergjencës një mekanizëm ndërkombëtar në Londër i cili shërben për të marrë masa të përkohshme ose urgjente përpara se të nisë procesi i plotë i arbitrazhit ka rrëzuar kërkesat e kompanisë koncesionare VIA për pezullim të vendimit të shtetit shqiptar për prishjen e kontratës.
Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Arbitri i Emergjencës ra dakord me MIE se as Kontrata, as provat e paraqitura nga kompania e cila ka të drejtën e ndërtimit të aeroportit nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për ta bërë këtë.
Si rrjedhojë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.
Tashmë cështja pritet të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit për një zgjidhje përfundimtare të kontratës.
I vetmi lehtësim i dhënë për koncesionarin ishte fakti që Arbitri i Emergjencës urdhëroi MIE që, përkohësisht, të mos ushtrojë të drejta të caktuara që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
Masa afatshkurtër nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. Vendimi i mundëson MIE të përgatisë hapat e mëtejshëm që rrjedhin nga zgjidhja e Kontratës së Koncesionit, të cilët janë të nevojshëm për të mbrojtur interesin publik.
Ky vendim vjen pas pak më shumë se një muaj pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës me koncesionarin, pas vonesave në përfundimin e projektit.
Kompania koncesionare VIA iu drejtua arbitrazhit të emergjencës, duke kërkuar ndër të tjera që vendimi për zgjidhjen e kontratës të pezullohej.

