Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Aeroporti i Vlorës, arbitrazhi rrëzon kërkesën e VIA-s: Hyn në fuqi zgjidhja e kontratës së koncesionit

schedule16:50 - 17 Shtator, 2026

schedule 16:50 - 17 Shtator, 2026

Arbitrazhi i Emergjencës ka rrëzuar kërkesën kryesore të kompanisë VIA për pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, urdhri është nxjerrë më 16 shtator 2026, në kuadër të procedurave të arbitrazhit të urgjencës të nisura nga VIA, koncesionari i aeroportit.

MIE e konsideron vendimin një zhvillim të rëndësishëm në favor të saj, pasi Arbitri i Emergjencës ka rrëzuar plotësisht dy nga tri kërkesat e paraqitura nga VIA dhe nuk ka pranuar kërkesën kryesore për pezullimin e zgjidhjes së kontratës.

Sipas ministrisë, Arbitri nuk pranoi të pezullonte as zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit dhe as zbatimin e Njoftimit për Zgjidhje. Në vendim është vlerësuar se kontrata dhe provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për një masë të tillë.

Për rrjedhojë, sipas MIE-së, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi. Arbitri ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e VIA-s që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të detyrohej të merrte pjesë në ndërmjetësim dhe të caktonte një ndërmjetës. Nuk është pranuar as kërkesa për shtyrjen me dy muaj të fillimit të arbitrazhit.

Megjithatë, VIA ka siguruar një masë të përkohshme. Arbitri ka urdhëruar MIE-në që, për një periudhë të kufizuar, të mos ushtrojë disa prej të drejtave që lindin pas zgjidhjes së kontratës së koncesionit.

Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit dhe momentin kur ky tribunal të jetë në gjendje të shqyrtojë mosmarrëveshjen. Sipas MIE-së, masa e përkohshme nuk prek vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së kontratës së koncesionit.

Një tjetër element i vendimit lidhet me kostot e procedurës së urgjencës. Sipas njoftimit, Arbitri i Emergjencës ka urdhëruar VIA-n të përballojë shpenzimet e këtyre procedurave.

Ministria deklaron se tashmë do të përgatisë hapat e mëtejshëm që rrjedhin nga zgjidhja e kontratës, duke respektuar masën e përkohshme të vendosur deri në konstituimin e tribunalit.

MIE njoftoi gjithashtu se do t’i komunikojë VIA-s se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi. Mosmarrëveshja për Aeroportin e Vlorës nuk mbyllet me këtë vendim. Çështja pritet të kalojë për shqyrtim përpara tribunalit të arbitrazhit, i cili do të trajtojë në themel pretendimet e palëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!