Numërimi mbrapsht ka nisur, deri të shtunën, kur Rolando Maran do të publikojë listën e kombëtares për sfidat në edicionin e Ligës së Kombeve. Ndryshe nga sa ishte njoftuar më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit, zbulimi i emrave të futbollistëve që do grumbullohen është shtyrë me 24 orë, ashtu si konferenca për mediat, ku tekniku kuqezi do të shpjegojë zgjedhjet e tij dhe objektivat në këtë turne.
Kështu, takimi është lënë të shtunën në orën 11:00, kur do të marrin përgjigje zyrtare të gjitha pikëpyetjet. Deri atëherë dyshimet janë të mëdha, duke nisur nga dëmtimet, forma dhe minutat e pakta të shumë prej kuqezinjve me skuadrat e tyre të klubeve në sezonin e ri.
Një tjetër aspekt që Maran duhet të marrë parasysh lidhet me formulën e re të UEFA për sfidat e Ligës së Kombeve. Kombëtarja do të luajë katër ndeshje në vetëm 11 ditë, dy në shtëpi dhe dy në transfertë. Një tur i vërtetë force, që kërkon shumë energji dhe burime.
Për këtë arsye, Maran përballet me një tjetër zgjedhje të vështirë, për numrin e lojtarëve që do të grumbullojë. Shtyrja e publikimit të listës është një sinjal, se tekniku kuqezi po shkon drejt një skuadre më të zgjeruar, por që mbart vështirësi në stërvitshmëri sidomos në taktikë.
Të gjitha këto dyshime do të marrin përgjigje të shtunën, ndërsa përgatitjet e kombëtares do të nisin zyrtarisht të hënën e ardhme. Sfida e parë në Ligën e Kombeve për Shqipërinë është ajo e 26 shtatorit në “Air Albania” kundër Bjellorusisë. Më pas skuadra kuqezi ka në program edhe tre ndeshje të tjera deri në 6 tetor kundër San Marinos dhe Finlandës në transfertë dhe sërish kundër San Marinos në shtëpi./abcnews.al

