Një dron është pikasur për të dytën natë radhazi pranë Aeroportit të Brukselit, duke ngritur sërish shqetësime për sigurinë e trafikut ajror.
Sipas ofruesit belg të shërbimeve të navigacionit ajror, Skeyes, droni u vërejt nga kontrollorët e trafikut ajror si me sy të lirë, ashtu edhe përmes sistemeve digjitale të pajisura me teknologji të specializuar për zbulimin e dronëve.
Pas konstatimit të tij, operacionet në aeroport u pezulluan për 30 minuta, në përputhje me procedurat e sigurisë për rastet e fluturimit të dronëve të paautorizuar. Më pas, aktiviteti në aeroport rifilloi normalisht.
Zëdhënësi i Skeyes, Kurt Verwilligen, nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me operacionet që mund të jenë prekur nga incidenti.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Aeroportit të Brukselit, Quentin Mertens, tha se aeroporti nuk kishte marrë asnjë raport për një dron që kishte fluturuar mbi territorin e tij dhe se nuk kishte pasur ndërprerje të trafikut ajror.
“Nuk u regjistruan devijime apo vonesa”, deklaroi Mertens.
Incidenti ndodhi vetëm një ditë pas një rasti të ngjashëm, kur një tjetër dron u pikas pranë aeroportit dhe trafiku ajror u ndërpre përkohësisht.
/abcnews.al/

