Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Po transportonte 11 emigrantë të paligjshëm/ Arrestohet 27-vjeçari në Korçë

schedule10:35 - 11 Shtator, 2026

schedule 10:35 - 11 Shtator, 2026

Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kufirit në Korçë, pasi u kap duke transportuar 11 emigrantë të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.

Operacioni i koduar “Borders” u finalizua nga Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës ndaj emigrantëve kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në pranga përfundoi shtetasi J. S., 27 vjeç, banues në Tepelenë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, F. S., 31 vjeç, banues në Fier, dhe G. H., 58 vjeç, banues në Lushnjë.

Sipas Policisë, 27-vjeçari u kap në flagrancë në fshatin Drenovë të Korçës, teksa transportonte me automjet në drejtim të Shkodrës 11 shtetas të huaj. Bëhet fjalë për 10 shtetas nga Bangladeshi dhe një shtetas nga Pakistani, të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar përmes Kapshticës dhe synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi.

Policia dyshon se tre personat e përfshirë bashkëpunonin për transportimin e emigrantëve kundrejt pagesës.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një celular.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!