Metroja e Shën Petersburgut po përgatitet të përshtatë infrastrukturën e saj për të përmbushur edhe “funksione mbrojtëse”, në kuadër të përgatitjeve për sulme të mundshme ajrore. Lajmi është publikuar nga gazeta lokale Fontanka, e cila ka bërë të ditur edhe tenderin përkatës.
Sipas specifikimeve teknike të parashikuara në dokumentet e tenderit, nëntë stacione të metrosë do të modernizohen në mënyrë që, në rast nevoje, të mund të shndërrohen në bunkerë.
“Studimi i fizibilitetit duhet të vlerësojë rreziqet e mundshme që lidhen me hyrjen e ajrit të kontaminuar në sistemet e ventilimit të zonës së destinuar për mbrojtjen civile dhe të garantojë që zgjidhjet teknike të parashikojnë sisteme filtrimi dhe ventilimi mjaftueshëm efikase për largimin e pluhurave radioaktive, aerosoleve dhe substancave toksike”, thuhet në dokumentacionin e cituar nga gazeta.
Më herët, e njëjta gazetë ka publikuar informacione lidhur me blerjen e strukturave kundër dronëve nga kompani të rajonit. Gjithashtu, administrata e distriktit të Kronstadtit, një ishull në Gjirin e Finlandës që në qershor u godit nga një dron ukrainas, ka blerë disa strehimore dhe i ka shpërndarë në territorin e saj.
Gjatë muajve korrik dhe gusht, Shën Petersburgu dhe rajoni përreth u përballën me sulme masive me dronë nga ushtria e Kievit. Sulmet shënjestruan veçanërisht dy qendra logjistike të kompanisë së shitjeve online Wildberries, si dhe portin tregtar të Ust-Lugës, në brigjet e Detit Baltik.
Për shkak të këtyre sulmeve, operacionet në aeroportin Pulkovo u pezulluan disa herë.

