Punësimi i sigurt më shumë se pasioni po orienton maturantët drejt studimeve të larta. Më shumë se gjysma e studentëve të rinj në universitete këtë vit akademik janë regjistruar në degë të shëndetit dhe inxhinierive.
Këto janë dhe degët që kanë tërhequr maturantët me rezultatet më të larta në vend.
Drejtuesi i rrjetit akademik shqiptar e lidh këtë tendencë me shtimin e kërkesës për profesionistë të shëndetësisë për shkak të rritjes së jetëgjatësisë dhe sektorët ku po përqëndrohen investimet në vend.
“Shihet tendencë e maturantëve drejt asaj që ku punësimi lokal në Shqipëri ka kërkesë të madhe për profesionistë dhe atje ku shkojnë investime të mëdha, reflektohet kërkesa për profesionistë. Marrim rastin e energjise psh ku Politkeniku I ka realizuar mbi 80% në degë të energjisë, elektrike, elektronike, se aty po shkojnë investime në energji te rinovueshme se kjo ka ardhur në rritje dhe investimet në rritje të sistemit. E njejta ndodh me inxhinierite mekanike, tregu I makinave ka nevojë për inxhinierë mekanikë, teknologjia është ezauruar”, tha ai.
Me mbylljen e raundit të parë në institucionet e arsimit të lartë janë regjistruar rreth 75 % e aplikantëve ose rreth 16 mijë studentë.
Sipas drejtuesit të rrjetit akademik shqiptar programet dygjuhëshe dhe binjakëzimi me universitete të huaja kanë kthyer besimin tek institucionet e arsimit të lartë në vend.
Raundi i dytë i regjistrimeve nis me 15 shtator dhe zgjat deri më katër tetor. Në këtë fazë parashikohet të regjistrohen për të nisur studimet rreth 6500 të rinj./abcnews.al

