83 emigrantë kanë humbur jetën pasi një varkë me dhjetëra persona në bord ka qëndruar në det të hapur për 27 ditë, përpara se të lokalizohej pranë Ishujve Kanarie.
Varka u gjet nga ekipet spanjolle rreth 65 milje detare në jugperëndim të Ishujve Kanarie. Në bord ndodheshin 44 të mbijetuar dhe pesë trupa të pajetë.
Varka dyshohet se ishte nisur nga Gambia në fillim të gushtit, me rreth 127 persona në bord, përfshirë edhe një foshnjë.
Kushtet e vështira të motit penguan ekipet e shpëtimit të nxirrnin trupat nga varka. Në zonë raportohet se kishte erëra të forta dhe dallgë deri në 2.5 metra.
Të 44 të mbijetuarit janë burra nga Afrika subsahariane. Tre prej tyre, në gjendje kritike shëndetësore, u transportuan me helikopter në spital, ndërsa të tjerët u dërguan me anije drejt ishujve kanarie .
Tragjedia rikthen në vëmendje rrezikun e madh të rrugës së Atlantikut, një nga itineraret më vdekjeprurëse të migracionit drejt Evropës, ku mijëra persona nisen çdo vit nga brigjet e Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie./abcnews.al

