Shqipëria do të luajë në Ligën C, në grupin 1, për Ligën e Kombeve të UEFA-s

schedule12:51 - 24 Janar, 2018

schedule 12:51 - 24 Janar, 2018

Kombëtarja shqiptare njohu kundërshtarët në turneun më të ri të UEFA-s, Ligën e Kombeve, që zëvendëson ndeshjet miqësore. Ekipi përfaqësues luan ndaj Izraelit dhe Skocisë.

Shorti u hodh dhe nuk na habiti shumë.

Kombëtarja e Shqipërisë mëson kundërshtarët në kompeticionin më të ri të krijuar nga UEFA, Ligën e Kombeve.
Goglat e nxjerra nga vazot në Nion të Zvicrës e vendosën ekipin tonë përfaqësues në grupin 1 të Ligës C, së bashku me Skocinë dhe Izraelin.
Ndaj skocezëve do të jetë një debutim, si të vetmit britanikë, me të cilët nuk jemi ndeshur deri tani.

Me Izraelin është një pikëpjekje shumë e shpejtë pas dueleve krejt të pazakonshme në eleminatoret e Botërorit, që përfunduan 3-0 për hebrejtë në Elbasan dhe 3-0 për ne, në fushën izraelite.
Ja si e vlerëson shortin ish-trajneri i kombëtares, De Biazi, duke folur për Supersportin.

Xhani De Biazi: “Unë mendoj se motivacioni nuk mungon dhe gjykoj se Skocia është një skuadër që ka një mënyrë të luajturi shumë të veçantë, një ekip që luan gjithmonë në mënyrë direkte. Skuadër shumë e fortë fizikisht, me lojtarë që luajnë tek Sëlltiku, Aberdini apo edhe në Premier Ligën angleze. Mendoj që është një grup shumë i vështirë dhe më mirë që është kështu. Mendoj se Shqipëria mund të hasë vështirësi ndaj ekipeve me nivel të lartë teknik si Spanja, ndërsa këto dy kundërshtarë nuk janë nga më të rëndësishmet e botës, janë ekipe me të cilat Shqipëria mund të garojë”.

Ky turne i ri zëvendëson ndeshjet miqësore të luajtura deri tani, dhe i jep mundësi skuadrave, që të synojnë kualifikimin për në Euro 2020, nëse këtë nuk e arrijnë dot nga eleminatoret e zakonshme.

Nëse kombëtarja zë vendin e parë në grup, ajo ka mundësi të luajë në plej of për Euro 2020, dhe po ashtu ngjitet automatikisht në Ligën B, pra një nivel më lart në Ligën e Kombeve.
Ndeshjet do të luhen nga data 6 Shtator deri në 20 Nëntor 2018.
Ja edhe vlerësimi i Mërgim Mavrajt

Mërgim Mavraj: “Gjitha skuadrat janë të barabarta. Në çdo ndeshje ke mundësi të madhë për të fituar. Besoj që kemi treguar me Izraelin që momentalisht jemi në një gjendje më të mirë se ata. Me Skocinë besoj që do të jetë një aventurë e re. Unë personalisht nuk kam luajtur britanike, por besoj që atmosfera do jetë fantastike atje dhe besoj që do jetë një ndeshje e madhe, dhe ndeshjet e mëdha ne na pëlqejnë shumë dhe ia dalim zakonisht shumë mirë”.

Edhe Kosova njohu kundërshtarët. Ajo do të jetë në grupin 3 të Ligës D, së bashku me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.
Interes të veçantë pati shorti i Ligës A, aty ku janë skuadrat më të mira të kontinentit.

Ata që prisnin emocione nuk u zhgënjyen pasi në Grupin 1 do të jenë Gjermania, Franca e Holanda, në grupin 4 do të ndeshen Spanja, Anglia e Kroacia, ndërsa në grupin 3, Portugalia Ronaldos, Italia e Polonia e Levandovskit./abcnews.al