Te paktën 6 persona kanë humbur jetën pas përmbysjes së anijes së pasagjerëve Express pranë brigjeve të Kyrenias, në Territoret e Qipros.
Ngjarja ndodhi, vetëm pak kohë pasi anija, në pronësi të kompanisë Filo Jet, ishte nisur nga porti i qytetit. Sipas raportimeve, incidenti u regjistrua rreth tre milje larg Kyrenias, ndërsa në bord ndodheshin 267 persona.
Deri tani, 159 persona janë shpëtuar, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në det, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe dallgëve të forta.
Në vendngjarje janë angazhuar anije, helikopterë dhe mjete të tjera të shpëtimit.
Personat e nxjerrë nga deti janë transportuar me ambulanca drejt spitaleve për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Republika e Qipros ka deklaruar gatishmërinë për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj në rast nevoje.

