Kombëtarja shqiptare përgatitet të nisë aventurën e re në UEFA Nations League, ku gjatë muajve shtator dhe tetor do të zhvillojë katër ndeshjet e para në Grupin 1 të Ligës C.
Kuqezinjtë do ta nisin rrugëtimin më 26 shtator, me sfidën ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”. Më pas, Shqipëria do të zhvillojë dy takime në transfertë, përkatësisht më 29 shtator dhe 3 tetor.
Kombëtarja do të rikthehet përpara tifozëve shqiptarë më 6 tetor, kur në “Air Albania” do të presë San Marinon.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se biletat për dy ndeshjet që do të zhvillohen në Tiranë, ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos, kanë dalë në shitje.
Biletat janë ndarë sipas kategorive dhe tribunave të stadiumit, ndërsa çmimet fillojnë nga 500 lekë.
FSHF u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur Kombëtaren në këtë edicion të Nations League, ku objektivi i Shqipërisë është përfundimi i grupit në vendin e parë dhe krijimi i një pozicioni sa më të favorshëm në rrugën drejt “EURO 2028”.
Federata thekson se shitja e biletave do të kryhet vetëm online, përmes platformës zyrtare ebileta.al. Çdo faqe tjetër që pretendon se ofron bileta për këto ndeshje konsiderohet e paautorizuar.
Për të blerë një biletë, tifozët duhet fillimisht të regjistrohen në platformë duke përdorur një adresë email-i. Më pas mund të zgjedhin tribunën dhe ulësen e preferuar në stadium.
Pas përzgjedhjes së vendit, duhet të plotësohen të dhënat e kërkuara për biletën, përfshirë emrin, mbiemrin dhe adresën e email-it.
Procedura përfundon me pagesën përmes kartës. Pas konfirmimit të pagesës, bileta dërgohet në adresën elektronike me të cilën përdoruesi është regjistruar në platformë.

