Policia e Tiranës dhe Sektori i Krimit Ekonomik kanë vënë në pranga një 45-vjeçare, e cila kishte mashtruar 30 persona në zonën e Fushë-Krujës.
45-vjeçarja Ina Cakaj, duke u hequr si punonjëse e administratës shtetërore, në këmbim të shumave monetare që varionin nga 1,000 deri në 10 mijë euro, u premtonte se do t’u jepte dëmshpërblim apo banesa të reja familjeve të cilat ishin të prekura nga dëmtimet e tërmetit në zonën e Fushë-Krujës në vitin 2019.
Ina Cakaj akuzohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Skema e mashtrimit dyshohet se ka arritur vlerën e 60 milionë lekëve të vjetra.
Sipas informacioneve, policia ka gjetur dhe sekuestruar certifikata familjare në emër të personave të dëmtuar, të cilëve ajo pretendonte se do t’u siguronte dëmshpërblim.
Hetimet lidhur me rastin vijojnë për dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit, ku rezulton e përfshirë Ina Cakaj.

