Autoritetet gjermane kanë urdhëruar evakuimin e rreth 5,600 shtëpive në Berlin, pasi një bombë e Luftës së Dytë Botërore u zbulua në një kanal në lagjen Neukölln.
Sipas policisë, një perimetër sigurie prej 500 metrash është vendosur rreth vendit ku u gjet bomba. Brenda zonës së evakuimit ndodhen edhe një azil për të moshuarit, një strehë për të pastrehët dhe një qendër kujdesi ditor.
Bomba, me peshë rreth 100 kilogramë, u gjet mëngjesin e së hënës në fund të kanalit, pranë Zonenallee, një prej zonave më të frekuentuara tregtare të lagjes.
Pas nxjerrjes nga uji, bomba u vendos në një platformë lundruese. Sipas autoriteteve, ajo do të transportohet me vinç drejt bregut, ku ekspertët e çminimit do të ndërhyjnë për ta neutralizuar.
Operacioni i evakuimit ka nisur dhe pritet të zgjasë disa orë. Banorët e larguar nga banesat janë strehuar përkohësisht në zona të sigurta, ndërsa autoritetet vijojnë punën për garantimin e sigurisë dhe neutralizimin e bombës.


