Një tjetër dramë në futboll dhe një tjetër jetë e humbur në fushat e sportit më të dashur në botë.
Quévin Castro, 25 vjeçari portugez është bërë viktima e radhës. Futbollisti që luante për Real SC në divizionin e dytë të kampionatit në Portugali, ndërroi jetë të shtunën gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Estrela da Amadora në stadiumin “Estádio das Seixas” në Malveira. Lajmi është konfirmuar nga gazeta më e madhe sportive portugeze “A Bola”.
Ngjarja ndodhi vetëm 10 minuta pas fillimit të ndeshjes, kur mesfushori kolapsoi papritur në fushën e lojës.
Stafi mjekësor i të dy klubeve nxitoi t’i vinte në ndihmë lojtarit dhe përdori një defibrilator, por përpjekjet për reanimim rezultuan të pasuksesshme.
Castro u shpall i vdekur në spital, pasi ishte transportuar atje nga ekipet e urgjencës.
Vdekja e 25 vjeçarit I shtohet tragjedive të tjera, që janë shënuar në fushat e futbollit.


