Një grup aktivistësh në mbështetje të Gazës, që kishin njoftuar ardhjen në Shqipëri për të vizituar Sazanin, në një mision për mbrojtjen e ishullit, e zbuluan shpejt qëllimin e tyre të vërtetë.
Menjëherë pas mbërritjes në portin e Vlorës, grupi u prit nga zyrtarë të turizmit, zëvendësministrja Marinela Prifti dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, të cilët ishin informuar përmes rrjeteve sociale për ardhjen e tyre.
Hysaj rrëfen, duke zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje, se u kishin ofruar anëtarëve të grupit informacion të plotë mbi Sazanin, por shpejt misionarët e vetëquajtur për mbrojtjen e ishullit refuzuan ta vizitonin dhe zbuluan destinacionin e tyre të vërtetë, revolucionin e flamingove në Tiranë.
“Nuk deshën as të ndiqnin paraqitjen e informacionit të përgatitur për ta, por gjithsesi morën dokumentin informues që u vumë në dispozicion dhe njoftuan: “Po shkojmë t’i bashkohemi Revolucionit në Tiranë”. Natyrisht, kjo është e drejta e tyre. Por atëherë le ta quajmë këtë mision me emrin e vet të vërtetë. Nëse kalon detin duke deklaruar se dëshiron të shpëtosh një ishull dhe, pasi mbërrin, refuzon madje ta vizitosh atë, nuk ke ardhur për të njohur realitetin: ke ardhur për të vënë në skenë një përfundim të shkruar përpara se të niseshe.”
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit e ka cilësuar të pavend edhe krahasimin e Sazanit me Gazën nga mysafirët.
“U ofruam gjithashtu t’i shoqëronim për të vizituar Sazanin, ishullin për të cilin kishin dhënë tashmë një verdikt shumë të rëndë, duke arritur deri aty sa ta krahasonin me Gazën. Ky krahasim nuk është i guximshëm. Është grotesk, injorant dhe thellësisht fyes, në radhë të parë ndaj vetë qytetarëve të Gazës.
Në Gazë, një popullsi e tërë ka jetuar për vite ferrin e Hamasit dhe më pas ferrin e luftës. Në Sazan nuk ka asnjë luftë, asnjë familje nuk është nën bomba, asnjë fëmijë nuk vrapon për t’u shpëtuar rrënojave, asnjë shtëpi nuk është shkatërruar dhe asnjë flamingo nuk pret të çlirohet nga një mision ndërkombëtar me helmeta të kuqe, të gjelbra apo të çfarëdo ngjyre tjetër.”
Ajo kundërshton edhe pretendimin se Sazani është në rrezik apo se ishulli po shitet.
“Nuk ekziston asnjë marrëveshje me palën private. Nuk ekziston ende asnjë projekt arkitektonik i përcaktuar apo i paraqitur. Nuk është shitur as edhe një metër katror i ishullit. Sazani nuk është nxjerrë kurrë në shitje. Nuk është në shitje sot dhe nuk do të jetë as nesër.”
Kryeministri Edi Rama, i cili ka shpërndarë videon e Hysajt, ka ironizuar misionin e Global Sumud Flotilla.
“Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temjanit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre. Një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për ‘pritën’ e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit.”



