Një zjarr ka përfshirë gjatë natës një ndërtesë banimi në qytetin e vogël Tousis, në lindje të Zvicrës, duke shkaktuar tetë të plagosur dhe pesë persona rezultojnë ende të zhdukur.
Policia lokale u njoftua për ngjarjen pak pas mesnatës, ndërsa flakët përfshinë një restorant dhe disa apartamente në ndërtesë, të cilat u dogjën plotësisht.
Sipas policisë kantonale të Grisons, 14 persona arritën të evakuohen nga ndërtesa. Tetë prej tyre pësuan lëndime, ndërsa gjendja e dy të plagosurve raportohet e rëndë.
Autoritetet kanë nisur kërkimet për pesë personat që rezultojnë të zhdukur, ndërsa vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të zjarrit.
Ngjarja ka shkaktuar alarm në zonën e banuar, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje.


