Situata e zjarreve në Bashkinë Pukë vijon të monitorohet dhe menaxhohet nga strukturat vendore dhe qendrore, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Institucionin e Prefektit të Qarkut Shkodër.
Në Malin e Tërbunit, situata paraqitet aktualisht nën kontroll, ndërsa forcat tokësore vijojnë monitorimin dhe punën për eliminimin e vatrave të mbetura.
Ndërkohë, në zonën Gojan i Vogël, Gojan i Madh dhe Gjegjan, situata mbetet dinamike për shkak të erës së fortë. Deri tani nuk raportohet avancim i flakëve në drejtim të banesave. Operacioni në terren po mbështetet prej tre ditësh pa ndërprerje nga ajri, me dy helikopterë të angazhuar në zonat më problematike.
Në terren janë angazhuar forca dhe mjete nga disa bashki, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe vullnetarë. Operacioni përfshin tre mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë nga Bashkia Pukë, një mjet dhe shtatë efektivë nga Bashkia Fushë-Arrëz, si dhe një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë nga Bashkia Shkodër. Në operacion marrin pjesë gjithashtu 50 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, efektivë të Policisë së Shtetit dhe rreth 50 vullnetarë.
Forcat janë shpërndarë në disa drejtime operacionale, me fokus të veçantë në Gojanin e Madh, Gojanin e Vogël dhe Gjegjanin, me qëllim kufizimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës pa ndërprerje, ndërsa strukturat në terren mbeten të angazhuara për shuarjen e vatrave aktive dhe garantimin e sigurisë së banorëve dhe banesave.


