Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur në lindje të Japonisë, pasi reshje rekord goditën prefekturën Chiba, pranë Tokios. Autoritetet i kanë cilësuar reshjet si “të paprecedenta”. Më shumë se 20 mijë familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa rreth 7 mijë udhëtarë kaluan natën në aeroportin Narita, pasi mbetën të bllokuar.
Të enjten u dha alarmi më i lartë i emergjencës për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Të premten niveli u ul, por autoritetet vijojnë të paralajmërojnë për rreziqe të mëtejshme.
Në Chiba janë regjistruar mbi 100 milimetra shi në orë që prej pasdites së së enjtes, rreth tre herë më shumë se mesatarja e reshjeve për muajin gusht dhe niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Mes viktimave është një grua që humbi jetën brenda makinës së saj, e cila u përmbyt në një rrugë. Dy persona të tjerë u gjetën të rrëzuar në rrugë dhe më vonë humbën jetën. Më shumë se 100 mijë familje u këshilluan të evakuoheshin, ndërsa disa linja hekurudhore dhe autostrada vijojnë të jenë të mbyllura.
Reshjet e dendura pritet të vazhdojnë deri të premten në mbrëmje. Shërbimi Meteorologjik Japonez tha se moti ekstrem u shkaktua nga përplasja e ajrit të ngrohtë dhe të lagësht me masat e ftohta të ajrit, duke krijuar kushte jashtëzakonisht të paqëndrueshme atmosferike.
Moti i keq ka prekur edhe Filipinet dhe Kinën, ndërsa rajoni është goditur këtë javë nga disa stuhi të njëpasnjëshme.


