Kolumbia është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve, ndërsa lëkundja e fundit në rajonin Choco është cilësuar si më e fuqishmja e regjistruar në vend gjatë shekullit XXI.
Një tërmet me magnitudë 7.4 goditi të hënën, më 10 gusht 2026, rajonin Choco në perëndim të Kolumbisë. Epiqendra u lokalizua pranë San José del Palmar, në një thellësi prej rreth 113 kilometrash.
Tërmeti ka rikthyer vëmendjen te rreziku i lartë sizmik me të cilin përballet Kolumbia, veçanërisht rajoni i Paqësorit, ku ndodhet epiqendra e lëkundjes.
Kolumbia ndodhet pranë Unazës së Zjarrit të Paqësorit, një zonë gjigante tektonike që rrethon Oqeanin Paqësor dhe ku regjistrohet pjesa më e madhe e tërmeteve në botë. Në territorin kolumbian regjistrohen zakonisht mijëra lëkundje të vogla çdo muaj.
Tërmetet shkaktohen nga lëvizja e pllakave tektonike, të cilat mund të përplasen, të largohen ose të rrëshqasin pranë njëra-tjetrës. Në rastin e Kolumbisë, pozicioni gjeologjik i vendit e bën atë veçanërisht të ekspozuar ndaj këtyre lëvizjeve.
Sipas sizmologes Suzan van der Lee nga Universiteti Northwestern, fuqia e tërmetit të fundit, epiqendra e tij në brendësi të vendit dhe afërsia me lugina lumore me terren të butë mund të kenë kontribuar në intensifikimin e dëmeve.
Ekspertja ka theksuar se, duke marrë parasysh thellësinë e tërmetit, lëkundjet nuk pritej të ishin aq të fuqishme, shkruan skynews.
Përmasat e plota të dëmeve në Chocó mund të kërkojnë kohë për t’u përcaktuar, pasi rajoni është i mbuluar kryesisht nga xhungla dhe përbëhet nga zona të thella rurale, të cilat janë të arritshme kryesisht me anije ose avion.
Historia e Kolumbisë tregon se tërmetet e fuqishme mund të shkaktojnë pasoja katastrofike. Në vitin 1999, një tërmet me magnitudë 6.2 në rajonin e kafesë shkaktoi vdekjen e më shumë se 1000 njerëzve.
Sipas van der Lee, një tërmet me magnitudë 7.4 çliron rreth 32 herë më shumë energji sesa një tërmet me magnitudë 6.4.
Rajoni ka përjetuar edhe tërmete të fuqishme në të kaluarën. Në vitin 1868, një seri tërmetesh në Kolumbi dhe Ekuador shkaktoi rreth 70 mijë viktima. Lëkundja më e fuqishme e asaj serie arriti magnitudën 7.7 dhe shkatërroi disa qytete në orët e para të mëngjesit.
Në një shkallë më të gjerë, një nga katastrofat më të rënda sizmike në hemisferën perëndimore ndodhi në Haiti në vitin 2010. Një tërmet me magnitudë 7.0 shkaktoi rreth 316 mijë viktima.
Tërmetet e fundit në rajon kanë treguar edhe një herë se pozicioni gjeografik dhe kushtet gjeologjike e bëjnë Kolumbinë veçanërisht të cenueshme ndaj lëkundjeve të fuqishme.


