Rritja ekonomike e Europës këtë vit mund të bllokohet nga nxehtësia ekstreme dhe thatësira që ka prekur gjithë kontinentin, sipas një studimi të bankës holandeze Triodos.
Komisioni Europian kishte parashikuar se rritja ekonomike e bllokut do të arrinte 1.1 përqind këtë vit.
Banka, e cila është e specializuar në financimin e projekteve të qëndrueshme mjedisore dhe sociale, vlerëson se nxehtësia mund të bëhet shkak për rënien e rreth 1% të produktit të brendshëm bruto të Bashkimit Evropian, baraz me afërsisht 180 miliardë euro humbje ekonomike, thuajse sa rritja ekonomike e parashikuar.
Studimi thekson se temperaturat rekord dhe thatësira e zgjatur në Evropë po ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut dhe ekosistemet, si dhe në bujqësi, energji, transport dhe produktivitet të punës.
Studimi vuri në dukje se produktiviteti i punonjësve zvogëlohet kur temperaturat rriten mbi afërsisht 25-30 gradë Celsius, dhe se efekti është veçanërisht i përqendruar në punët fizikisht të vështira, punën në natyrë dhe vendet e punës pa ajër të kondicionuar.
Prodhimi bujqësor në BE pritet të bjerë me 3 deri në 7 përqind për shkak të nxehtësisë ekstreme dhe thatësirës, dhe dëmi ekonomik po përkeqësohet nga rritja e çmimeve të ushqimeve, kufizimet në prodhimin e energjisë, rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe kufizimet në transport.
Sipas studimit, Franca pritet të jetë më e prekura nga nxehtësia ekstreme, ndërsa dëme të konsiderueshme ekonomike priten gjithashtu në Itali, Spanjë dhe Belgjikë.


