Një emër i njohur për përplasjet me qeverinë e Viktor Orbanit mund të rikthehet në qendër të politikës hungareze, këtë herë si kreu i shtetit.
Andras Baka, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të Hungarisë, është kandidati i propozuar nga partia në pushtet Tisza për postin e presidentit. Zgjedhja e tij pritet të hidhet në votim në Parlament të martën. Baka ka një histori të drejtpërdrejtë përplasjeje me qeverinë e Viktor Orbanit. Në vitin 2011, ai u largua nga posti i kryetarit të Gjykatës së Lartë, tre vjet përpara përfundimit të mandatit.
Çështja shkoi deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në vitin 2014, gjykata në Strasburg arriti në përfundimin se shkarkimi i Bakës lidhej me kritikat e tij ndaj qeverisë dhe se mënyra e largimit të tij kishte cenuar parimet demokratike. Qeveria hungareze i ka mohuar këto akuza. Partia Tisza, e drejtuar nga kryeministri Peter Magyar, e konsideron Bakën një mbështetës të fortë të shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe ndarjes së pushteteve.
Kandidatura e tij vjen në një moment kur qeveria e re synon të ndryshojë sistemin politik të ndërtuar gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit.
Pas fitores në zgjedhjet e prillit, Peter Magyar ka nisur përpjekjet për të larguar nga institucionet zyrtarët e emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme.
Megjithatë, presidenca hungareze nuk ka kompetenca të gjera politike. Sipas Kushtetutës, presidenti ka kryesisht një rol ceremonial, ndërsa mund të kthejë ligjet për rishqyrtim ose të pengojë përkohësisht hyrjen e tyre në fuqi.
Ndërkohë, opozita Hungareze ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në procesin parlamentar për zgjedhjen e presidentit. Partia e Viktor Orbanit akuzon qeverinë e re për ndjekje të politikave autoritare, akuza që Tisza i ka kundërshtuar.



