Policia Rrugore e Vlorës dhe Sarandës ka intensifikuar monitorimin e akseve rrugore në të gjithë qarkun, duke përdorur dronë, radarë dhe automjete inteligjente, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.
Kontrollet janë përqendruar te drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë nën efektin e alkoolit, drejtojnë automjetin pa leje drejtimi, tejkalojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë apo kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që shpesh janë shkak i aksidenteve me pasoja.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë periudhës 1–6 gusht 2026 janë arrestuar ose proceduar penalisht 24 drejtues mjetesh. Prej tyre, 14 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, një është arrestuar për drejtim pa leje drejtimi dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë, ndërsa katër të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim pa leje drejtimi.
Po ashtu, pesë drejtues janë proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që kanë sjellë dëmtime të lehta.
Gjatë së njëjtës periudhë janë vendosur gjithsej 3344 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Shkeljet më të konstatuara janë:
1084 masa për tejkalim të shpejtësisë;
605 masa për mospërdorimin e kaskës mbrojtëse;
57 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
59 masa për xhama të zinj;
41 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit;
33 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
10 masa për parakalime të gabuara;
10 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve;
8 masa për pozicionim të gabuar të mjetit;
1437 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve, veçanërisht në këtë periudhë kur fluksi i automjeteve në akset turistike mbetet i lartë.


