Një skandal i rëndë abuzimi ka shpërthyer në Kolegjin e Fondacionit të Ushtrisë në Harrogate, në veri të Anglisë. Katër gra kanë rrëfyer për BBC se janë përdhunuar, sulmuar dhe ngacmuar seksualisht gjatë kohës kur ndiqnin këtë institucion ushtarak, të gjitha në moshën 17-vjeçare.
Ato e përshkruajnë ambientin si një mjedis ku mbizotëronte mizogjinia, ngacmimet e vazhdueshme dhe mungesa e plotë e mbrojtjes për viktimat. Njëra prej tyre, e identifikuar me emrin Tilly, rrëfen sulmin e rëndë nga disa ushtarë të tjerë të së njëjtës moshë.
“Ata më thanë: ‘Do të hysh në dhomë?’ Isha një vajzë naive 17-vjeçare. Filluan të bënin gjëra për të cilat unë nuk jepja pëlqimin tim. Kishte shumë prej tyre. Dhe pastaj u përdhunova… nga disa ushtarë të rinj, të së njëjtës moshë me mua. Vazhdoi për orë të tëra.”
Dëshmitë e grave të tjera flasin për sulme brenda dhomave, instruktorë që hynin pa paralajmërim dhe vajza që detyroheshin të flinin pas derës për të penguar hyrjen e ushtarëve meshkuj.
Raportet e BBC zbulojnë se vetëm vitin e fundit policia ka marrë 16 raportime për vepra seksuale në këtë kolegj. Ndërsa të dhënat e Ministrisë britanike të Mbrojtjes tregojnë se nga janari 2018 deri në qershor 2025 janë regjistruar 176 ankesa për sjellje të papërshtatshme seksuale — 32 prej të cilave kundër vetë stafit.
/abcnews.al/


