Reagon për herë të parë kryeministri Edi Rama mbi ndarjen e re territoriale me 46 bashki dhe debatet që po bëhen këto ditë mbi të. Sipas Ramës, debatet janë normale, por ai përjashton rastin e Poliçanit, ku pati protestë edhe me djegien e teserave të PS.
“Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë ‘tribunin e vegjëlisë’ pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale, po edhe e mirëseardhur.”, shprehet Rama.
Pas propozimit që u bë të enjten, tani është momenti kur secili duhet të shprehet mbi draftin e PS. Për këtë janë 60 ditë konsultimi, siç ligji e parashikon.
“Sepse sipas ligjit, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.”, thotë ai.
Projekti i PS që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke i konsoliduar me bashki të tjera, do të rikthehet në vjeshtë në diskutime në Parlament.
“Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë Parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë te vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.”, shkruan kryeministri.
Përgjatë ditëve në vijim, Rama thotë se të gjithë, sidomos ata që preken nga ndryshimet, do të informohen lidhur me arsyet që kanë çuar në propozimin tashmë të bërë.
“Të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve, ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftërat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhëna të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë fare argumente në këtë debat.”, thekson Rama.
Diskutimet mbi propozimin e PS do të vijojnë edhe gjatë javëve në vijim. Për draftin do të vendosë Parlamenti, pas konsultimeve që do të zhvillohen. Për miratimin e tij nevojiten 84 vota.


