Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë gjatë dy operacioneve të zhvilluara në 24 orët e fundit në Vlorë dhe Sarandë, të koduara “Siguria” dhe “Transportuesit”, kundër armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacioneve u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me 6 fishekë, rreth 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi kokainë, si dhe dy automjete të përdorura nga të dyshuarit.
Në kuadër të operacionit “Siguria”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin E. O., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas Policisë, ai u kap në parkingun e një lokali në zonën e Lungomares, ku gjatë kontrollit fizik në çantën e tij u gjetën një armë zjarri pistoletë me 6 fishekë, 2.18 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe 4.46 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Ndërkohë, në Sarandë u finalizua operacioni policor “Transportuesit”, pas një hetimi proaktiv trejavor të zhvilluar me metoda speciale hetimi nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës.
Në pranga ranë:
- A. N., 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje;
- K. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve;
- A. C., 30 vjeç, banues në Lukovë.
Tre të arrestuarit u kapën në rrugën “Nivicë–Sarandë”, pranë urës së Kakomesë, duke lëvizur me dy automjete.
Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte A. N., ku udhëtonte edhe A. C., policia gjeti dhe sekuestroi 5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila dyshohet se transportohej për t’u shitur në Sarandë dhe Ksamil.
Sipas hetimeve paraprake, K. J. lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar itinerarin dhe për të sinjalizuar praninë e patrullave të Policisë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


