Analisti Roland Bejko ka deklaruar se reforma territoriale duhet të bazohet në metodologjinë e Bashkimit Evropian dhe të miratohet me konsensus mes forcave politike, duke shmangur, sipas tij, ndikimin e kalkulimeve elektorale.
Në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Bejko solli si shembull Bashkinë e Divjakës, për të cilën tha se ka treguar performancë të mirë ekonomike.
“Le të marrim Divjakën. Kryetari tha se bashkia ka performuar mirë. Të ardhurat i ka të larta sepse ka eksport dhe ekonominë e shkallës e ka pozitive. Ndërkohë janë lënë bashki që nuk i kanë plotësuar këto kritere dhe kjo lë vend për spekulime”, u shpreh ai.
Sipas Bejkos, në reformën e vitit 2014 prioritet ishte efikasiteti administrativ, ndërsa sot sfida kryesore mbetet forcimi i demokracisë lokale. Analisti ngriti gjithashtu dyshime se propozimet aktuale mund të kenë prapavijë elektorale.
“Dje dhe sot në zona socialiste ka reagime të forta të qytetarëve, disa edhe me të drejtë. Le të marrim Divjakën, kryetari doli dhe tha bashkia ime ka performuar mirë. Të ardhurat i ka të larta sepse mbi të gjitha ka eksport, ekonominë e shkallës e ka pozitive. Kanë lënë bashki që nuk i kanë plotësuar këto kritere, dhe këtu na lënë vend të spekulojmë. Nga reagimi i mMznikut kuptova se në rast se në reformën e 2014 prioritet ishte efikasiteti. Por gjithë problemi që kemi ne sot është çështja e demokracisë lokale. Qeverisja vendore është qeverisja e qytetarit. Duhet ti jepet më shumë hapësirë pushtetit vendor…”, tha Bejko, duke shtuar: “Unë mendoj që ky është një kalkulim elektoral sepse qarqet thanë do t’i kthejnë në 6 rajone dhe i lanë po në 12 qarqe, pra do të thotë që Edi Rama nuk do të bëjë as ndryshimin e ligjit elektoral”.
/abcnews.al/


