Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po përballet me kundërshtim të fortë ndaj planit të tij për të shitur pjesë të aksioneve në kompeticionet e FIFA-s tek investitorë privatë. Vetëm pak orë pasi edhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) iu bashkua kritikave, një nga këshilltarët e tij më të afërt, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen.
Cordeiro e cilësoi propozimin si “një marrëveshje të keqe për futbollin”, duke paralajmëruar se ai do të “hipotekonte të ardhmen e futbollit”.
Në një deklaratë zyrtare, AFC bëri të ditur se qëndron në solidaritet me UEFA-n dhe Concacaf-in, duke theksuar se plani i Infantinos nuk mund të sigurojë konsensusin dhe unitetin e nevojshëm për t’u zbatuar.
“Kupa e Botës FIFA është kulmi i futbollit botëror dhe e merr forcën e saj nga pjesëmarrja e të gjitha konfederatave dhe kombëtareve më të mira. Çdo propozim që rrezikon të dëmtojë unitetin dhe karakterin universal të këtij kompeticioni duhet të rishqyrtohet”, thuhet në deklaratën e AFC-së.
Ky zhvillim e vë në pikëpyetje miratimin e planit në Kongresin e FIFA-s. Për kalimin e tij nevojitet shumica e thjeshtë, pra të paktën 106 vota nga 211 federatat anëtare.
UEFA disponon 55 vota, Concacaf 35, ndërsa AFC 46. Nëse federatat anëtare ndjekin qëndrimin e konfederatave të tyre, atëherë 136 vota do të jenë kundër propozimit të Infantinos, duke e bërë pothuajse të pamundur miratimin e tij.


