Pas bisedës telefonike që ministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Yi, zhvilloi me homologun e tij rus Sergey Lavrov, ku u diskutua për tensionet në Lindjen e Mesme, ka shprehur kundërshtimin e tij për shpërdorimin e fuqisë ushtarake nga SHBA në Irak.
Wang nxiti SHBA-të kundër aventurizmit ushtarak dhe shpërdorimit të fuqisë, për të cilën ai paralajmëroi se rrezikon përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
Gjithashtu ai u shpreh se aventurizmi ushtarak ishte i papranueshëm duke i bërë thirrje Washingtonit që të respektojë sovranitetin e Irakut.
Ndërkohë sipas agjencisë Xinhua, Wang bisedoi edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Javad Zarif, ku u diskutua rreth situatës aktuale në rajon.
Wang tha se veprimet e rrezikshme ushtarake të SHBA-ve shkelin normat bazike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përkeqësojnë tensionet rajonale.
Nga ana tjetër, nga agjencia njoftojnë se Zarif ka informuar homologun kinez se Teherani i ka dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke shpresuar se Pekini do të luajë rol të rëndësishëm në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.