Është arrestuar në Francë biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, Ermal Beqiri.
Ndaj tij është lëshuar masa “arrest me burg” nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa pritet që të ekstradohet në Shqipëri.
Beqiri rezulton se zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se përfitoi tenderë mbi 1.1 milion euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.
Hetimet e SPAK, të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit. Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 milion euro.
Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiri. Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.
Gjithashtu, atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij dhe subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë e Golem, biznese dhe automjete.
Beqiri dyshohet për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Më vonë, i është shtuar edhe akuza e korrupsionit.
Sipas mediave në Francë, Ermal Beqiri po fluturonte të shtunën pasdite me një avion të vogël civil në një mënyrë anormale mbi centralin bërthamor. Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze ndërhynë menjëherë, duke neutralizuar dhe arrestuar shqiptarin, i cili po mbahet në paraburgim deri kur të ekstradohet drejt Rinasit.
Mediat franceze raportojnë se një fakt i pazakontë ishte se, gjatë kontrollit fizik, forcat e rendit gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij. Këto pajisje të vogla GPS, të prodhuara nga Apple, përdoren për të lokalizuar dhe gjurmuar objektet ose personat që i mbajnë me vete.
Para hetuesve francezë, biznesmeni shqiptar deklaroi se kishte gabuar lartësinë e fluturimit, pasi ishte duke folur në telefon me nënën e tij në momentin kur po kalonte mbi centralin bërthamor.
Sipas mediave franceze, ai ishte nisur nga qyteti i vogël Albert, kishte fluturuar drejt Calais, më pas kishte kaluar drejt Bretanjës, për të përfunduar mbi centralin bërthamor të Penly, kur u kap nga autoritetet.
Ai është dënuar nga autoritetet e drejtësisë në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar dhe më pas iu dorëzua Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar, ku pritet edhe ekstradimi.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Shtetasi E.B, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.



