Mali i zi, një nga shtetet pararojë në rrugën e integrimit europian së bashku me Shqipërinë do të duhet të përballet me çështjet e pazgjidhura me Kroacinë, përpara së të hedh hapin e rradhës në negociatat me Brukselin.
Zagrebi, pjesë e unionit që nga 2013-ta, ka bllokuar mbylljen e kapitullit të 31 për politikën e jashtme dhe mbrojtjen, me argumentin se fillimisht Podgorica duhet të diskutoj seriozisht me të.
Në qëndrim e tij zyrtar, Zagrebi i ka dërguarit shtetit malazez një listë me gjashtë kushte, ku përfshihet dënimi i krimeve të luftës dhe zgjidhja e kërkesave pronësore nga qytetarët kroatë.
Kroacia i ka bërë thirrje Malit të Zi që të angazhohet në dialog konstruktiv për ti zgjidhur çështjet dypalëshe, madje Zagrebi shton se Be nuk duhet të importoj mosmarrëveshje në Bruksel.
Lëvizjet erdhën pas vizitës së Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila u takua me Kryeministrin Andrej Plenković dhe Ministrin e Punëve të Jashtme.
Disa nga cështjet kryesore të pazgjidhura janë: Çështja e kufirit detar në Prevlakë, Anija ushtarake “Jadran”, Kampi i Morinjit – (Zagrebi kërkon njohje të plotë të krimeve të kryera ndaj të burgosurve kroatë gjatë luftërave të viteve 1990 dhe trajtim të çështjeve të viktimave) apo të drejtat e pakicës kroate në Mal të Zi.
Në këtë moment, Kroacia nuk ka vendosur një veto të përgjithshme ndaj anëtarësimit të Malit të Zi, por gjithësesi ka bllokuar përkohësisht këtë fazë të negociatave.
Mali i Zi ka mbyllur 18 kapituj, ndërsa pretendon të bëhet anëtare e BE deri në 2028-tën.



