Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Irani pretendon se ka përparim në bisedimet me Omanin për Hormuzin

schedule22:16 - 26 Korrik, 2026

schedule 22:16 - 26 Korrik, 2026

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha më 26 korrik se është bërë “përparim” në diskutimet mes Iranit dhe Omanit, por nuk dha detaje të tjera.

Deklarata e tij erdhi pasi delegacioni i Omanit udhëtoi më 25 korrik për në Teheran për bisedime lidhur me menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.

Baghaei tha se ditët e fundit në Teheran janë zhvilluar “disa runde bisedimesh” ndërmjet zëvendësministrave të Jashtëm të Iranit dhe Omanit, gjatë të cilave të dyja palët “shkëmbyen pikëpamje mbi parimet e përbashkëta dhe mekanizmat operacionalë për menaxhimin e kalimit të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, duke respektuar të drejtat sovrane të dy shteteve”.



Megjithatë, ai shtoi se “aktualisht nuk ka pasur asnjë ndryshim në statusin e lundrimit përmes ngushticës”.

Irani dhe Omani janë dy shtetet që kufizohen me pjesën më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës rëndom kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.

Menjëherë pas shpërthimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në shkurt, Irani praktikisht ndaloi pjesën më të madhe të trafikut detar nëpër ngushticë, duke kryer sulme ndaj anijeve ndërkombëtare.

Sulmet ndaj anijeve në Hormuz kanë shkaktuar çrregullime në tregjet globale të energjisë dhe e kanë bërë rihapjen e kësaj rruge ujore jetike një nga çështjet kryesore të negociatave që pasuan mes SHBA-së dhe Iranit.

Javëve të fundit rinisën luftimet, pasi SHBA-ja e akuzoi Iranin për sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, sulme që zhbënë një marrëveshje armëpushimi që u arrit në muajin qershor.

SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor këtë ngushticë si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!